Veseli: Po e transformojmë shëndetësinë

Tash e një vit jemi duke bërë përpjekje të mëdha për të transformuar shëndetësinë kosovare, e cila prej vitesh ka qenë e lënë pas dore. Në fund të këtij mandati synojmë të kemi një sistem shëndetësor të standardeve bashkëkohore.

Kështu ka thënë kryetari Kadri Veseli, në tryezën për kancerin e gjirit, organizuar sot në Prishtinë nga rinia e Partisë Demokratike e Kosovës.

Në fjalën e tij para të pranishmëve, kryetari i PDK-së tha se sot në botën bashkëkohore, jeta kualitative e qytetarëve, siguria, shëndeti, stabiliteti ekonomik, janë prioritete që i japin kuptim politikës, jo frazat bombastike e patriotizmat abstrakt.

“Ne sot jemi bërë bashkë në këtë tryezë për të trajtuar një problem shumë të ndjeshëm dhe shumë sfidues për mirëqenien e qytetarëve tanë, familjeve tona, fëmijëve tanë. Ky është problem i kancerit të gjirit. Statistikat janë shqetësuese. Ato flasin se, nga viti në vit, rastet e kancerit të gjirit kanë ardhur duke u shtuar në Kosovë. Kjo sëmundje ka një ndikim të drejtpërdrejtë negativ, si në jetën e grave të prekura prej saj, por njëkohësisht në familjet tona, në mirëqenien e fëmijëve”, theksoi Veseli.

Prandaj, shtoi kreu i PDK-së, reagimi duhet të jetë i përbashkët, si shoqëri dhe si shtet, që me politika të duhura të ndikojë në ndalimin e këtij trendi shqetësues të rritjes së rasteve me kancer të gjirit.

Krahas kësaj, Veseli tha se ka edhe mundësi për t’ju gjetur pranë nënave, motrave e grave që tanimë janë të prekura prej tij.

“Tash e një vit jemi duke bërë përpjekje të mëdha për të transformuar shëndetësinë kosovare, e cila prej vitesh ka qenë e lënë pas dore. Ky transformim ka dy qëllime: qëllimi i parë, pacientët kosovarë duhet të gjejnë shërim dhe shërbime cilësore në vendin e tyre, e jo të bredhin spitaleve të rajonit duke shkatërruar ekonominë e tyre familjare. Duhet t’i japim fund fenomenit të eksportimit të pacientëve në vendet e rajonit. Qëllimi i dytë, mjekëve tanë duhet tu krijomë kushte teknologjike dhe financiare që profesionin e tyre human ta ushtrojnë në vendin e tyre, e të mos kërkojnë që ta braktisin Kosovën. Duhet t’i japim fund eksportimit të trurit në fushën e mjekësisë”, tha kryetari Veseli.

Veseli shtoi Partia Demokratike e Kosovës ka marrë drejtimin e sektorit të shëndetësisë pikërisht për këto qëllime.

“Gjatë këtij viti ne kemi dëshmuar se e kemi seriozisht në arritjen e tyre dhe në fund të këtij mandati ne synojmë të kemi një sistem shëndetësor të standardeve bashkëkohore. Dhe më të mirë se të vendeve të rajonit. Ne mundemi dhe ne do ta bëjmë këtë”, tha në fjalën tij kryetari i PDK-së.

Ndërsa, ministri i Shëndetësisë Uran Ismaili, njëherësh nënkryetar i PDK-së, theksoi se falë mbështetjes së kryetatit Kadri Veseli ka arritur të realizojë shumë projekte të rëndësishme në fushën e shëndetësisë.

Ai tha se reformat në shëndetësi do të jenë të vazhdueshme, në mënyrë që pacientët të marin shërbime cilësore shëndetësore dhe personeli shëndetësor të merr mbështetjen e nevojshme.