Veseli për Srebrenicën: Kjo masakër nuk ishte as fillimi dhe as fundi i krimeve të regjimit serb

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka kujtuar përvjetorin e 24-të të masakrës të Srebrenicës.

Veseli në një status të tij në Facebook ka shkruar se kjo masakër nuk ishte as fillimi dhe as fundi i krimeve të regjimit të atëhershëm serb, transmeton Ballkani.info.

Sipas tij, vetëm tre vjet pas Srebrenicës, të njëjtat pamje të mizorisë u shfaqën në fshatrat dhe qytetet e Kosovës, duke theksuar se Serbia do të përgjigjet për gjenocidin në vendin tonë, ashtu siç është përgjigjur për gjenocidin në Srebrenicë.

Postimi i plotë:

Sot, në përvjetorin e 24-të, ne i bashkohemi përkujtimit të masakrës së Srebrenicës, një prej krimeve më mizore në Evropën e pasluftës së dytë botërore. Kjo masakër nuk ishte as fillimi dhe as fundi i krimeve të regjimit të atëhershëm serb. Vetëm tre vjet pas Srebrenicës, të njëjtat pamje të mizorisë u shfaqën në fshatrat dhe qytetet e Kosovës. Dhe ndonëse kanë kaluar dekada, drejtësia ende nuk është vendosur, por koha nuk e zhvlerëson krimin dhe as drejtësinë. Serbia do të përgjigjet për gjenocidin në Kosovë, siç është përgjigjur për gjenocidin në Srebrenicë. Kjo është e pashmangshme. /Ballkani.info