Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka reaguar pas deklaratave të politikanit serb Vojsllav Sheshel.
Ai ka thënë se Shesheli e ka provokuar sërish Kosovën derisa ka shtuar se ai dhe paramilitarët serbë kanë treguar se kanë mungesë burrërie në luftë.
“Krimineli i luftës Vojsllav Sheshel, me gjuhën e tij tipike të urrejtjes dhe me kërcënimin e luftës ka provokuar sërish Kosovën duke bërë thirrje për agresion ushtrak ndaj sovranitetit tone”.
“Shesheli dhe paramilitarët që e kanë ndjekur, e kanë treguar botërisht mungesën e burrërisë në luftë, sepse nuk kanë guxuar të ballafaqohen me ne luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por kanë masakruar civilë të paarmatosur, gra pleq e fëmijë të pafajshëm”.
Madje, Veseli në një postim në Facebook ku e ka quajtur Sheshelin “fosil të shovinizimit të shekullit të kaluar” ka thënë se liria e Kosovës është e pakthyeshme.
“Ky fosil i shovinizmit të shekullit të kaluar dhe propagandues i iluzioneve të dështuara për Serbi të Madhe, duhet ta kuptojë që koha e tij ka perënduar moti dhe se liria e Kosovës e fituar 20 vjet më parë është e pakthyeshme”.







