Veseli për ratifikimin e Marrëveshjes së Prespës: Krijon klimë për zgjidhje të kontesteve tjera rajonale

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka përshëndetur ratifikimin e Marrëveshjes së Prespës edhe nga Parlamenti i Greqisë.

“Pas ratifikimit të Marrëveshjes së Prespës në Parlamentin grek dhe atë maqedonas, Greqia dhe tanimë Republika e Maqedonisë Veriore i japin fund problemit tredekadësh të emrit. Pas shumë luftërave e kontesteve, Ballkani Perëndimor nuk ka qenë kurrë më afër garantimit të stabilitetit të qëndrueshëm dhe afatgjatë sesa tash”, ka shkruar Veseli në Facebook.

“Kjo marrëveshje krijon një klimë të mirë për zgjidhjen e kontesteve tjera rajonale. Kosova duhet ta kapitalizojë këtë momentum dhe në bashkëpunim me ShBA-të dhe BE-në të arrijë një marrëveshje të përhershme me Serbinë. Vetëm kështu brezave të ardhshëm mund t’u garantojmë paqe, siguri e zhvillim”.