Veseli: PDK ka listë tejet të pastër, në VV ka njerëz që kanë plagosur duke bërë gara për qejf

Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, ka thënë se partia e tij në listën për deputetë për zgjedhjet e 6 tetorit nuk ka asnjë njeri me aktakuzë për korrupsion, nepotizëm e abuzim të detyrës zyrtare.

Sipas tij, nuk është lejuar në atë listë të ketë as njerëz që kanë aktakuzë për armëmbajtje pa leje.

Në këtë pikë, ka thënë se partitë tjera kanë njerëz me aktakuza, teksa ka akuzuar LDK-në se ka shumë zyrtarë të lartë të partisë me aktakuza e VV-në se një zyrtar i saj ka kryer plagosje teksa ka bërë gara për qejf me armë.

“Unë kam goditur njerëzit nga partia ime. Në mënyrë publike. Cili është një kryetar tjetër pos meje që i ka larguar nga institucionet. Sa i ke në LDK, në VV. Janë në pozita të larta institucionale. Gjysmën e kryetarëve të komunave. Më thoni një njeri si unë që s’ka lënë nëpër asnjë pozitë njerëz me aktakuzë. Te partitë tjera ka madje që veç për qejf duke bërë gara ka plagosur njeri. Ka nëpër parti. Është nënkryetar në Vushtrri, (Besim) Muzaqi. Është i VV-së”, ka thënë ai duke shtuar se “Lista jonë është ndër më të pastrat”.

Ai ka thënë se nëse merr qeverisjen synon të krijojë Komision Parlamentar kundër korrupsionit. “Ai do të udhëhiqet nga opozita dhe kurdo që ka shqetësime, s’kemi nevojë për popullizëm por do të shkojmë në mënyrë institucionale. Do të ketë qasje nëpër ministri e institucione të tjera”, ka thënë ai.

loading…