Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ka kujtuar sot masakrën në “Lagjen e Trimave” në Prizren, ku u vranë e u masakruan 27 civilë shqiptarë që nuk u larguan nga shtëpitë e tyre në kohën e luftës, duke shtuar se nuk do të ndalojë përpjekjet e tij për të themeluar tibunalin që do të gjykojë krimet e Serbisë të kryera në Kosovë.
Kështu ka bërë të ditur vetë Veseli përmes një postimi në Facebook, ku tutje shtoi se nuk duhet ndalur së punuari derisa të vihen para drejtësisë të gjithë kriminelët serbë që masakruan qytetarët kosovarë të pafajshëm.
“26 Maji i vitit 1999, u kthye në tragjedi për popullin tonë në “Lagjen e Trimave” të Prizrenit. Forcat serbe vranë e masakruan 27 civilë shqiptarë të cilët kishin vendosur të mos largohen nga shtëpitë e tyre kur mijëra të tjerë po dëboheshin drejt Shqipërisë”, është shprehur Veseli.
“Unë nuk do të ndalem në angazhimin tim për të themeluar Tribunalin për dënimin e krimeve serbe të kryera gjatë luftës në Kosovë. Ne nuk duhet të pushojmë së punuari për të vënë para drejtësisë të gjithë kriminelët serb që masakruan qytetarët tanë të pafajshëm”, ka shkruar tutje Veseli në Facebook.







