Kryetari i Kuvendit të Kosovës, njëherësh lider i PDK-së, Kadri Veseli, ka thënë në “Javën e Gruas” se partia që ai drejton është hapur tërësisht drejt dhënies së përgjegjësive për gratë dhe të rinjtë.

Ai tha se në procesin e deritashēm zgjedhor disa degë të PDK-së kanë rritur dukshëm numrin e përfaqësimit gjinor ndërsa në disa degë kanë kryetare të rinisë.

“PDK në procesin e brendahëm zgjedhor ka vendosur të rritë dukshëm numrin dhe përfaqësimin e grave ndërsa kemi vendosur që secila degë të ketë një nënkryetare grua. Ky është një hap i rëndësishëm sepse jemi parti që besojmë në rolin dhe fuqinë e gruas në zhvillimin e vendit. Gratë përfaqësojnë gjysmën e popullsisë andaj ne do t’iu japim gjithë hapësirën e nevojshme”.

Duke folur para shumë grave në “Javën e Gruas” që është organizuar nga NDI, Veseli tha se vajzat e Kosovës tashmë janë dëshmuar se janë të suksesshme jo vetëm brenda, por edhe jashtë shtetit duke përmendur shembujt e Majlinda Kelmendit, Rita Orës, Dua Lipës dhe të tjera.

“E sa e sa Majlinda, Rita e Dua të tjera, janë në mesin tonë. Që ato të shfaqin talentin e tyre, potencialin e tyre krijues, ne duhet ta transformojmë Kosovën në një shoqëri të shanseve të barabarta për gratë dhe burrat e saj. Vetëm duke bërë hapa praktikë në këtë drejtim, ne mund të arrijmë rezultate konkrete në eliminimin e praktikave të diskriminimit gjinor të cilat ende janë të pranishme gjithandej shoqërisë sonë”.

“Përfshirja në politikë e grave, integriteti i tyre në institucionet e shtetit të nivelit qendror dhe lokal është rruga që duhet ta ndjekim në mënyrë që një ditë barazia gjinore të kuptohet si fakt i natyrshëm i jetës sonë sociale dhe institucionale. Kjo do të thotë që një ditë të mos përbëjë lajm zgjedhja e një gruaje në krye të shtetit, në krye të komunës ose të partive politike”, ka përfunduar Veseli.