Pas vazhdimit të seancës plenare në Kuvendin e Kosovës, ka nisur edhe shqyrtimi i pikave të rendit të ditës.

Kryeparlamentari Veseli, i ka dhënë fjalën nënkryetarit të Komisionit Funksional të Kuvendit, deputetit Hajdar Beqa.

E kjo ka nxitur reagime tek kryetarja e këtij komisioni, deputetja nga radhët e LVV, Albulena Haxhiu e cila ka marrë fjalën dhe ka kritikuar kryeparlamentarin për mos përfillje të rregullores.

“Hajdar Beqa ka qenë i autorizuar për të folur në vend timin kur ne si opozitë në shtator të vitit të kaluar kemi bojkotuar seancat e Kuvendit, kurse tani jemi në rrethana të reja, a po e shihni se jam këtu?”, ka thënë Haxhiu, përcjell Ballkani.info.

Në anën tjetër, deputetes së LVV-së i është përgjigjur edhe kryeparlamentari Veseli, i cili ka prezantuar një dokument ku Haxhiu e ka autorizuar deputetin Beqa që të flasë në emër të komisionit, duke thënë se ai nuk e di çfarë ndodh me komisionet më vonë.

“Unë e kam këtu një dokument ku ju e keni autorizuar deputetin Beqa të flasë në emër të komisionit dhe unë nuk e di se çfarë ndodh brenda komisioneve më vonë. Ju kisha lutë të keni pak kulturë në Kuvend”, ka thënë Veseli. /Ballkani.info