Versioni i MPJ’së: Djali i Vlora Dumoshit dhe familjari i Agim Çekut nuk u shkarkuan, u kthyen në Ministri

Sot është raportuar për shkarkim të disa pjesëtarëve të stafit diplomatik të ambasadës së Kosovës në Washington D.C dhe të Konsullatës së Përgjithshme të Kosovës në New York, në mesin e tyre edhe konsullja Teuta Sahatçiu, djali i Ministres Vlora Dumoshi dhe një familjar i ish-kryeministrit Agim Çeku

Burime të Gazetës Express kanë thënë se nuk bëhet fjalë për shkarkime por për lirim nga detyra dhe kthim në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës pasi që të njëjtve u ka skaduar mandati.

Ministri i Punëve të Jashtme Glauk Konjufca ka vendosur të tërheqë nga misioni diplomatik dhe ta kthejë në MPJ edhe djalin e ministres Vlora Dumoshi, Rron Kryeziu i cili ka mbajtur pozitën e konsullit në ambasadën e Kosovës në Washington D.C

Konjufca ka vendosur që të tërheqë nga misioni diplomatik edhe Teuta Sahatqiun.

Sahatqiu mbante pozitën e Konsulles së Përgjithshme të Ambasadës së Kosovës në New York dhe në këtë pozitë ishte emëruar para 5 viteve gjatë koalicioni LDK-PDK.

Para një muaji, Konjufca kishte marrë vendim që të shkarkojë edhe ambasadoren e Kosovës në ShBA, Vlora Çitakun dhe disa ambasadorë të tjerë në disa shtete të botës.