Vërshimet në veri të Mitrovicës, qytetarët shqiptarë kalojnë natën jashtë shtëpisë dhe detyrohen të bëjnë roje

Vërshimet e fundit në vend pas reshjeve të shiut kanë shkaktuar vështirësi të shumta, por më e rëndë gjendja është paraqitur për shqiptarët në veri të Mitrovicës, të cilët pas vërshimeve përveç që kanë dalë nga shtëpitë, ata janë detyruar të bëjnë edhe roje.

Ish- deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Valdete Idrizi në një postim në rrjetin social Facebook shkruan se së bashku me asamblistin Florent Azemi ka vizituar banorët në lagjen e Boshnjakëve në veri të qytetit, të cilët janë goditë nga vërshimet e fundit.

“Në këto orë të vona, pak para mesnate, e në këtë natë të ftohtë ata qëndronin jashtë dhe bënin roje, e duke e ndihmu njëri tjetrin”, shkruan ajo.

Lexoni të plotë postimin:

Bashkë me Florentin sonte në orët e vona vizituam banorët në lagjen e Boshnjakëve në veri të qytetit, të cilët janë goditë nga vërshimet e fundit. Në këto orë të vona, pak para mesnate, e në këtë natë të ftohtë ata qëndronin jashtë dhe bënin roje, e duke e ndihmu njëri tjetrin.

Njëjtë edhe banorët e lagjes Dy Korriku, të Lisicës dhe të gjithë ata që jetojnë afër lumenjve.

Bashkëndjejmë me këta qytetarë të qytetit tonë dhe gjithandej vendit tonë që falënderim e mirënjohje për zhytësit e klubit Trepça, Zjarrfikësit, Policinë e Kosovës, Forcat e Sigurisë dhe të gjithë njerëzit vullnetmirë që po u dalin në ndihmë qytetarëve që u detyruan të lëshojnë shtëpitë e tyre.

Lutem që niveli i ujit të bie sa më shpejt e banorët të kthehen sa më shpejt dhe dëmet e mëdha të sanohen sa më shpejt!”.