Verratti: Nuk ishte penallti ajo e Anglisë ndaj Danimarkës, por nuk i frikësohemi gjykimit

Italia ka arritur një finale të Kampionatit evropian pas nëntë viteve, ku e fundit ishte ajo në Euro 2012.

Azzurët janë të etur për sukses, por edhe kundërshtari i tyre Anglia janë duke kërkuar triumfin.

Për finalen e madhe të Kampionatit Evropian ‘Euro 2020’, ka folur edhe mesfushori italian, Marco Verratti.

Anëtari i Paris Saint Germain fillimisht ka folur për penalltinë e fituar të anglezëve në gjysmëfinale ndaj Danimarkës, ku sipas tij nuk ka qenë penallti.

Tutje ai ka thënë se nuk i tremb gjykimi nga kjo sfidë, pasi thotë se UEFA do të sjell një gjyqtar me përvojë.

“Kemi parë të gjithë bashkë ndeshjen Angli-Danimarkë dhe nëse do të isha gjyqtar, nuk do ta jepja atë penallti. Ishte një 11-metërsh bujar, por nuk na tremb arbitrimi për ndeshjen e të dielës, pasi e dimë që për finalen UEFA do të sjellë një gjyqtar me përvojë për nivele të tilla”, deklaroi Verratti.

Tutje mesfushori italian ka vlerësuar kundërshtarin dhe ka thënë se do ta kenë stadiumin e tyre të mbushur me tifozë, por që kjo gjë nuk ndikon te italianët.

“Anglia është një skuadër shumë fizike, por njëkohësisht ka futbollistë të shpejtë dhe shumë të fortë teknikisht. Do të jetë një ndeshje e bukur dhe të dy ekipet do të provojnë të fitojnë, por shpresoj që të jemi ne ata që festojmë”.

“E dimë që stadiumi do të jetë i mbushur me tifozë vendas, por ne jemi profesionistë dhe jemi mësuar tashmë me situata të tilla, ndaj nuk do të ndikohemi aspak”, ka thënë mesfushori italian.