Veriu nën sulme me granata, LVV gjen kohë ta sulmojë Hashim Thaçin

Situata në veri të vendit, nuk është aspak e qetë. Veriu, mbrëmë ka qenë nën sulmin e granatave, përçka u shtuan edhe forcat e policisë së vendit, si dhe të KFOR-it e EULEX-it.

Në krejt këtë situatë Lëvizja Vetëvendosje, ka gjetur kohë, të shpërndajë një diskutim të djeshëm, të zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi, i cili për situatën në veri, fajin ia ka lënë Hashim Thaçit.

“Po fokusohem vetëm te situata që është krijuar në veri të Kosovës, sepse është thënë që me këto masat e fundit, largimin e serbëve, është rreziku sovraniteti dhe normalizimi që ne e kemi arritë në komunat e veriut në Kosovë.

Ish Kryeministri Thaçi, më datë 19 prill 2013, para nënshkrimit të marrëveshjes ka pranuar që veriu të marrë trajtim të veçantë të sigurisë, duke u dakorduar që Forcat e Sigurisë së Kosovës, të mos lejohen të shkojnë në pjesën veriore të vendit.” Ka thënë ndër të tjera Bislimi.

Situata në veri është përshkallëzuar së fundmi, pas një rezistence të grupeve të armatosura atje, për të mbajtur zgjedhjet e jashtëzakonshme, të shpallura nga Presidentja Osmani.

Nuk dihet, nëse do t’i ndihmojë situatës, kjo video, e shpërndarë nga Lëvizja Vetëvendosje.