Gjatë ditës së shtunë, Kosova për pak orë ka mbetur pa asnjë nga krerët e lartë të shtetit. Kryeministri i vendit, Albin Kurti, presidentja, Vjosa Osmani dhe kryeparlamentari Glauk Konjufca gjatë ditës së sotme nuk ndodhshin në Kosovë.
Kryeministri i vendit, Albin Kurti për disa orë ndodhej Forumin socio-ekologjik në Shkup, por i njëjti është kthyer në Kosovë pas tensionimit të situatës në veri të vendit, ku dy pikat kufitare Kosovë-Serbi në veri të Kosovës, po vazhdojnë të qëndrojnë të bllokuara tash e gjashtë ditë, pas vendimit të Qeverisë së Kosovë për reciprocitet në targa me Serbinë.
Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu ka konfirmuar për Reporteri.net se Kurti është kthyer në Kosovë dhe pas pak minutash do të ketë konferencë për media bashkë me ministrin Xhelal Sveçla.
Jashtë vendit ndodhet edhe presidentja, Vjosa Osmani e cila tash e disa ditë po qëndron për vizitë në SHBA. Vizita e saj në SHBA është paraparë të zgjasë deri më 27 shtator dhe ajo po shoqërohet nga Ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla.
Për vizitë jashtë vendit gjatë ditës së djeshme ndodhej edhe kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ndërsa ende nuk është raportuar për kthimin e tij në Kosovë.
Gazeta Online “Reporteri.net” ka tentuar të marrë një përgjigje nga kabineti i Konjufcës për të kuptuar, nëse i njëjti është kthyer nga vizita në Hungari, por të njëjtit nuk janë përgjigjur ende.
Për mungesën e krerëve të shtetit në Kosovë gjatë ditës së sotme, ka reaguar edhe ish-kryeministri, Isa Mustafa.
Mustafa ka thënë se situata është serioze dhe rrezikshme dhe se në një situatë të tillë Presidentja, Kryeministri dhe Kryeparlamentari duhet të jenë në Kosovë.
“Situata në veri të Kosovës është tepër serioze dhe e rrezikshme. Në një situatë të tillë , Presidentja, Kryeministri dhe Kryeparlamentari duhet të jenë në Kosovë. Nuk mund të dërgojnë mësazhe, njëra nga New Yorku, tjetri nga Shkupi e nga Budapesti, kurse Njësitë Speciale të Policisë të Kosovës të mbesin të mbërthyera në Jarinje e Bërnjak nën kërcënimin e helikopterëve, avionëve e tanksave të Serbisë. Kjo sjellje është joserioze dhe e pafalshme.
Në momente të tilla do duhej të thirret Këshilli i Sigurisë nga Presidentja e vendit dhe të ndërmerren masat e nevojshme duke u koordinuar me partnerët tanë, SHBA, BE, KFOR-in dhe institucionet relevante në Kosovë”, shkroi Mustafa.
Situata në veri është tensionuar gjatë ditës së sotme, pas dy incidenteve që u regjistruan në Zubin-Potok ku u dogj ndërtesa e Qendrës së Regjistrimit të Automjeteve, dhe në komunën e Zveçanit.
Kryeministri i vendit, Albin Kurti reagoi duke thënë se sulmet në Qendrat e Regjistrimit të Automjeteve në Zubin Potok dhe në Zveçan, janë veprime të nxitura nga Serbia. Ai ka fajësuar Serbinë se po i përkrah grupet kriminale në veri të Kosovës, teksa ka kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare që të mos i mbyllë sytë para nxitjes që po bën regjimi autokrat në Serbi. /Reporteri.net






