Vendoset përsëri “orë policore” në dy komunat e veriut, s’dihet nëse u konsultuan institucionet e Kosovës

Stafi i krizës emergjente të komunave të veriut të Mitrovicës dhe Zveçanit sot kanë marrë vendim që nga nesër “ora policore” të jetë prej 12:00 deri në 06:00 të mëngjesit.

Shtabi i krizës emergjente të komunave të Mitrovicës së veriut, përfshirë edhe komunën e Zveçanit, sot kanë marrë një sërë vendimesh përfshirë edhe ndalimin e lëvizjes së qytetarëve nga ora 12:00 e ditës e deri në orën 06:00 të mëngjesit, vendim ky i cili do të hyjë në fuqi të premten dhe do të zgjas 14 ditë.

Siç shkruajnë mediet lokale në veri të Mitrovicës, transmeton lajmi.net, këtë gjë e ka bërë të ditur vetë kreu i veriut të Mitrovicës, Goran Rakiq.

“Vendimi erdhi pas rritjes së numrit të të prekurve me koronavirus gjatë ditëve të fundit, duke rritur rrezikun e përhapjes së virusit në mesin e njerëzve, siç konfirmohet nga raportet epidemiologjike nga shtabet e krizave të dy komunave”, deklaroi Rakiq.

Mirëpo në bazë të raportimeve të medieve lokale serbe, ky vendim është marrë në koordinim me Institutin e Shëndetit Publik dhe Ministrinë e Shëndetësisë mirëpo, nuk theksohet nëse bëhet fjalë institucionet e Kosovës apo ato të Serbisë.