Vendosen “postblloqe” nëpër stacione për policët e pavaksinuar, s’i lejojnë më të punojnë (Dokument)

Ndonëse marrja e vaksinës nuk është obligative në Kosovë, Zyrtarët e Policisë së Kosovës që nuk janë vaksinuar me dy dozat e vaksinës kundër Covid-19 janë duke u ndaluar që të hyjnë në stacionet e policisë.

Në bazë të një komunikimi të brendshëm konfirmohet se zyrtarët e paimunizuar nuk po lejohen të hyjnë në stacione dhe po kthehen në shtëpi.

Ndaj zyrtarëve të paimunizuar kundër koronavirusit duket se po merren edhe masa disiplinore.

Demokracia.com ka siguruar një email, i cili u është dërguar të gjitha stacioneve policore në Rajonin e Prishtinës, ku kërkohen të dhëna të detajuara për zyrtarët e Policisë së Kosovës.

“Të nderuar kërkojmë që urgjentisht të na njoftoni për gjendjen e personelit të pa vaksinuar. Sot a është paraqitur në punë ndonjë zyrtar i pavaksinuar, a është kthyer në shtëpi a është iniciuar rast apo çfarë masa janë ndërmarrë?“, thuhet në këtë komunikim.

Qeveria e Kosovës në shtator të këtij viti mori vendim që të gjithë punonjësit e institucioneve publike, si dhe personeli i ndërmarrjeve publike në pronësi të Qeverisë apo të një komune, duhet të kenë certifikatën e vaksinimit për vaksinimin e plotë ose marrjen e një doze të vaksinës kundër COVID-19 ose test të shpejtë antigjen negativ jo më i vjetër se 48 orë.