Vendos gjykata: 1 muaj paraburgim për kryeshefin e KEK Nagip Krasniqin

Gjykata Themelore e Prishtinës ia ka caktuar një muaj paraburgim kryeshefit të KEK, Nagip Krasniqi.

Lajmin për Express e ka konfirmuar Mirlinda Gashi, zëdhënëse në Gjykatën e Prishtinës.

“Iu ka caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji”, tha Gashi për Express.

Kryeshefi i Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Nagip Krasniqi, u arrestua të mërkurën nën dyshimin për kryerjen e tri veprave penale, ’Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’’, ‘’Ushtrimi i ndikimit’’ , dhe ‘’Konflikti i interesit’’.

Krasniqi me vendim të prokurorit u dërgua në mbajtje për 48 orë, ndaj tij PSRK ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit.

Njësia e Veçantë e Hetimeve ka bastisur zyrën e Krasniqit në Prishtinë, dy banesa në lokacione të ndara në Prishtinë, në pronësi dhe të shfrytëzuara nga i njëjti, “me qëllim gjetjen e dëshmive të cilat kanë të bëjnë me veprat penale të lartcekura”, ka njoftuar prokuroria.

“Gjatë bastisjes janë sekuestruar dokumente të ndryshme që ndërlidhen me rastin, pajisje elektronike si tre (3) kompjuter, një (1) llap-top, një (1) celular, një (1) USB, në cilësi të provave materiale që do të shërbejnë për procedurën e mëtejme”, ka njoftuar prokuroria