Vendimi i gjykatës italiane që shpallte të pafajshëm ish-ministrin Saimir Tahiri, është marrë si provë për dosjen hetimore të hapur ndaj tij edhe në Shqipëri.
Prokuroria për Krime të Rënda ka adminsitruar vendimin e pushimit të hetimeve të Italisë ndaj ish-ministrit të Punëve të Brendshme Saimir Tahiri.
Vendimi u depozitua në organin e akuzës pak ditë më parë nga vetë ish-ministri dhe avokati i tij në të cilin Italia pas hetimeve vendosi të mos ngrejë asnjë akuzë ndaj Tahirit për përfshirje në trafikun e drogës me bandën kriminale të arrestuar atje, të kryesuar nga Moisi Habilaj.
Me administrimin e këtij vendimi si pjesë të hetimeve shqiptare, pritet që brenda muajit nëntor të merret vendimi nëse në Shqipëri do të pushohet hetimi apo do të ngrihet një akuzë ndaj ish-ministrit për ta dërguar në gjyq.
Në Shqipëri, ish-ministri Tahiri është në hetim si i dyshuar për trafik droge, shpërdorim detyre dhe korrupsion pasiv.
Sipas vendimit të datës 5 tetor 2017, Gjykata e Katanias ka vendosur që të pushojë hetimet ndaj ish-ministrit, pasi sipas Prokurorisë së Katanias, nuk ka prova të mjaftueshme që e implikojnë ish-ministrin.
Ky vendim ka ardhur përpara se Prokuroria e Krimeve të Rënda të vendoste më 15 tetor 2018, të zgjaste edhe me tre muaj hetimet për “trafik droge” në “kuadër të grupit kriminal”, ndaj Tahirit.







