Vëllëzërit Muja armiq në politikë, Gazmendi e pëlqen komentin ku Armendi quhet “i poshtër”

I sapoaderuari në Lëvizjen Vetëvendosje, Armend Muja, në kohën kur ishte analist politik, kishte shkruar një status në të cilin thoshte se është lajm i mirë se zgjedhjet në Amerikë i fitoi Joe Biden dhe Grenell nuk do të jetë emisar. Këtu shtonte edhe se Thaçi nuk do të jetë pjesë e politikës.

Muja këto komente i kishte bërë përmes një statusi në Facebook dy ditë pas arrestimit të ish-Presidentit Thaçi.

“Biden, President i SHBA’së: Siç pritej, Joe Biden President. Lajm i mirë për botën e Kosovën. Çështja e Kosovës nuk është e hapur më, ajo është e mbyllur, Grenell kurrë më emisar. Këto ditë ishin të hidhura për Qeverinë Hoti. Dy nga hisedarët kryesor të saj – hohstapleri Grenell dhe ish-Presidenti Thaçi nuk janë në skenë”, kishte shkruar Muja.

Në statusin e Mujës kishte komentuar një qytetar i cili thoshte se duhet të jesh shumë i poshtër për të iu gëzuar faktit se një shqiptar po gjykohet për krime të pretenduara të luftës.

“Shumë bre i poshtër duhet me qenë me ju gëzu faktit që një shqiptar po gjykohet për krime të pretenduara të luftës! Ti po mendon që edhe këta janë duke u akuzuar si ti për korrupsion”, kishte komentuar ai.

Ndërkaq këtë koment të qytetarit e ka pëlqyer vëllai i Armend Mujës, Gazmend Muja.

Vëllezërit Muja kanë bindje të ndryshme politike. Gazmend Muja është me PDK’në, ndërkaq Armend Muja ka aderuar në VV.

Gazmend Muja ishte zgjedhur asamblist i PDK-së në vitin 2017 në Kuvendin Komunal të Mitrovicës, por më pas dha dorëheqje për t’iu bashkuar stafit politik të ish-ministres nga PDK’ja, Dhurata Hoxha.

Ndërkaq Armendi deri më tani ka qenë analist politik.