Vëllezërit Geci: Selimi ka mbetur borxh ta thotë të vërtetën e vrasjes së Bekim Kastratit e Besim Dajakut

Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, nga radhët e LDK, Gani Geci, ka reaguar ndaj presidentit Hashim Thaçi i cili muajin e kaluar ka folur rreth komunikatës nr.59 të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së.

Geci, përmes një shkrimi në llogarinë e tij në Facebook, ka kërkuar nga të gjithë anëtarët e Shtabit të Përgjithshëm UÇK-së të japin deklaratat e tyre sa i përket kësaj komunikate.

Sipas tij, nga deklarimet e disa ish-anëtarëve të Shtabit të Përgjithshëm u krijua konfuzion me deklaratën e presidentit të shtetit.

Në emër të shtatë vëllezërit Geci, ai ka ftuar Prokuroritë që ta zbardhin të vërtetën konfuze të komunikatës nr.59 dhe atentatin e datës 19.10.2001 mbi shokët e tyre.

“Ne familja jonë kërkojmë nga të gjithë anëtarët e Shtabit të Përgjithshëm UÇK-së të japin deklaratat e tyre sa i përket kësaj komunikate sepse nga deklarimet e disa ish-anëtarëve të Shtabit të Përgjithshëm u krijua konfuzion me deklaratën e presidentit të shtetit”, ka thënë ndër të tjera Geci,.

Geci ka përmendur Hashim Thaçin, Azem Sylën, Sylejman Selimin, Jakup Krasniqin, Bardhyl Mahmutin, Muhamet Kelmendin, të cilët sipas tij kanë dhënë deklarata të ndryshme.

Në shkrimin e Gecit në Facebook, thuhet se “se Sylejman Selimi ka mbetur borxh ta thotë edhe të vërtetën e datës 19.10.2001 sepse edhe me datën 18 dhe 19 tetor 2001, Gani Geci, Besim Dajaku dhe Shani Geci ishin argat të Sylejman Selimit, pra me datën 19 Tetor pas takimit që kishin në restaurant “Pëllumbi” në Prishtinë, kishin lënë një takim në orën 21:00 në shtëpinë e Shani Gecit, ndërsa rreth orës 20:05 minuta ishte kryer atentat kundër vëllait tonë dhe shokëve të tij”.