Një hulumtim i Paparacit shpërfaqi nepotizmin e aplikuar në baza partiake dhe familjare të një konkursi të KEK-ut, ku kishin aplikuar 4 mijë e 668 persona.

Në mesin e të punësuarve ishte edhe Leotrim Shala, vëllai i inxhinierit të Termocentralit Kosova B, Yll Shala, i cili njëherësh ka qenë edhe kryetar i komisionit intervistues të punësimit.

Në një deklarim të martën, Yll Shala ka mohuar të ketë pasur ndikim në procesin e intervistimit dhe punësimit të familjarit të tij në KEK.

“Po, jo more çfarë. S’o e vërtetë kjo hiç”, tha ai në një bisedë telefonike me Paparacin.

Shala, raportimet e deritanishme i ka konsideruar “informata të rrejshme”. Ka paralajmëruar padi ndaj mediave që kanë raportuar për procesin e dyshimtë të punësimit në KEK.

“Këto krejt që po dalin nëpër media këto sene janë informacione të rrejshme. Unë jam duke e përgatitë një kallëzim penal për të gjitha mediat që kanë marrë informacione të rrejshme. Këto janë informata të Klanit Pronto edhe do t’i padisë të gjitha mediat”, shtoi ai.

Yll Shala, sipas aktivitetit të tij në rrjetin social Facebook, është mbështetës i Lëvizjes Vetëvendosje, partisë në pushtet. Në disa fotografi që ka publikuar në Facebook, ai dëshmohet të ketë marrë pjesë në tubime elektorale të LVV-së.