Vëllai i një pjesëtari të grupit “Kumanova”: Ne nuk po kërkojmë që t’i kthejnë në Kosovë

Vëllai i njërit prej pjesëtarëve të Grupit të Kumanovës ka bërë një reagim lidhur me debatin që është mbajtur sot në Kuvendin e Kosovës për këtë grup.

Islam Qerimi, vëllai i Mirsad Qerimi, ka thënë se nuk kanë kërkuar që dënimi i të akuzuarve lidhur me këtë rast të mbahet në Kosovë.

Po ashtu, ai kërkon që rasti të kthehet në shkallë të parë dhe të hiqen termet “Terrorizëm” dhe “Grup terrorist” pasi ato nuk janë të argumentuara dhe janë të pabaza.

Ky është reagimi i plotë:  

Reagim Publik

Në emër të qytetarëve të Republikës së Kosovës, që gjendën në Burgjet e Maqedonisë së Veriut, lidhur me rastin e Kumanovës!

Reagim lidhur me kërkesat/deklaratat nga shumë Deputetë/Politikanë apo edhe persona tjerë, se pjesëtaret e “Grupit të Kumanovës” duhet të kthehet për të vuajtur dënimet në Kosovë. Ju informojmë që ne asnjëherë nuk kemi kërkuar, as nuk kemi plan që të kërkojmë një gjë të tillë!

Përderisa rasti është në Procedurë në Gjykatën Supreme, dhe këto javët në vijim pritet vendimi. Kërkesat tona janë të qarta të kthehet rasti në Rigjykim në shkallë të parë dhe të hiqen termat “Terrorizëm” dhe “Grup Terrorist” pasi që janë të pa bazë dhe të pa argumentuara!

Ne do të kërkojmë drejtësi deri në Instancat më të larta ndërkombëtare deri në shtjerrjen e të gjitha mjeteve ligjore.