Leonard Ademaj, vëllai i Liridona Ademaj është deklaruar para mediave pas përfundimit të konferencës së Prokurorisë Themelore të Prishtinës ku u njoftua për ngritjen e aktakuzës ndaj të tre të dyshuarve për rastin 30 vjeçares në Bërnicë të Prishtinës.

Ai e ka mirëpritur ngritjen e aktakuzës, ndërsa kërkon dënim kapital për personat që e kanë kryer vrasjen.

“E mirëpresim ngritjen e aktakuzës. Pra në emër të familjes ju falendërojmë të gjithë, edhe prokurorinë dhe hetuesinë. Ne kemi besuar në drejtësi dhe vazhdojmë të besojmë. Ajo çfarë duam është që sa më shpejt gjykata të vendosë një dënim kapital që të lehtësojë zemrat tona dhe të fëmijëve të saj sadopak”, tha ai, raporton Ballkani.info.

Leonard Ademaj u pyet nga gazetarët se cili është motivi i vrasjes.

“Akoma nuk e kemi lexuar aktakuzën, kur ta lexojmë do ta shohim edhe ne. Është një ditë e rëndë për ne”, tha ai.

Ademaj ka treguar se takohen me fëmijët dhe  kanë kuptuar gjithçka dhe sipas tij gjendja e tyre nuk është edhe aq e mirë./Ballkani.info/