Juventusi ka zgjidhur problemin e trajnerit, duke ia besuar pankinën Maurizio Sarrit, por tashmë do të duhet të sistemojë sulmuesin argjentinas, Gonzalo Higuain, i cili është kthyer nga huazimi te Chelsea, por nuk bën pjesë në planet e bardhezinjve.

Mediat në Itali patën raportuar se Juventusi ia kishte ofruar argjentinasin Romës, por vëllai dhe menaxheri i Higuain, Nicolas Higuain, ka mohuar mundësinë e kalimit në një tjetër skuadër të kampionatit italian.

“Me të gjithë respektin për Serie A, në Itali do të qëndrojmë vetëm për Juventusin. Nëse bardhezinjtë kanë plane të tjera, atëherë Higuain do të luajë në një kampionat tjetër. Është 32 vjeç dhe ka ende shumë për të dhënë, para se të kthehet në Argjentinë”, tha Nicolas Higuain.