Vëllai i Fitore Pacollit mobilizon aktivistët e VV-së t’i kundërvihen Grenellit për ta mbrojtur Kurtin

I dërguari i posaçëm i presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump për dialogun Kosovë – Serbi, Richard Grenell sot i ka reaguar kreut të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtit duke i thënë se është kundër SHBA-ve.

Grenell i ka reaguar Kurtit në një deklarim të tijin në rrjetin social “Twitter” ku Kurti shprehet se në rast të kthimit në pozitën e kryeministrit të Kosovës nuk do t’i respektojë marrëveshjet e arritura në SHBA dhe se të njëjtat nuk do të ratifikohen në Kuvendin e Kosovës, shkruan lajmi.net.

“Një gjë është e sigurtë, ju gjithmonë mund të llogarisni në Kurtin që të jetë kundër SHBA-ve. Ai ishte kundër ideve të Obamas, ishte kundër ideve të Bushit. Simbolika nuk paguan qiratë, atë e bëjnë vendet e punës”, ka shkruar Grenell në Twitter.

Reagimi i Grenell që u përkrah edhe nga djali i presidentit të SHBA-ve, Donald Trump Jr. si duket i ka ‘aktivizuar’ aktivistët dhe militantët e Lëvizjes Vetëvendosje që ta kundërshtojnë ashpër Grenellin.

Organizatori i kësaj ‘ofensive’ në Twitter ka qenë vëllai i deputetes së Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli, Fitim Pacolli.

Ai në grupin në Facebook #meKryeministrin i ka ftuar aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje që t’i reagojnë Grenellit në postimin e tij në Twitter ku ka polemizuar me ish-kryeministrin Kurti.