Vëllai i Donjeta Pajazitaj reagon pas “arsyetimit” të Gjykatës Supreme për lirimin e Naser Pajazitaj: Ku ka pare s’ka drejtësi

Vëllau i Donjeta Pajazitaj, Shkëlqim Pajazitaj ka reaguar pas publikimit të aktgjykimit të plotë të Gjykatës Supreme për lirimin e Naser Pajazitaj, i cili akuzohej për vrasjen e Donjeta Pajazitaj.

Supremja e arsyeton lirimin e Naser Pajazitaj me mungesën e provave të drejtpërdrejta që e argumentojnë fajësinë e tij.

Këtë vendim e ka kundërshtuar Shkëlqim Pajazitaj, i cili provë më të madhe konsideron deklaratat e vajzës së Naser Pajazitaj ndaj babait të saj.

“Nuk e di a ka prov ma te madhe se kur nje femije i del kunder babait te ti, ateher vjen nje (?) e madhe si gjykata supreme e kosoves nuk arriti te fitoj nje bindje qe aj person ka kryer vepren penale (Vrasje)”, ka shkruar ai në Facebook.

Tutje ai ka renditur “4 prova” me të cilat, sipas tij Gjykata Supreme do të fitonte të njëjtën bindje si shkallët e tjera të gjykatave.

“1.Deshmin e vajzes se ti, 2.Kamerat, 3.Arma me te cilen ju ka kerku me ekzaminu, nese nuk do te ishte ajo arma me te cilen u kry vrasja, ateher pse mos ta derzonte per ekzaminim pasi qe edhe prokoria i kishin thene nese nuk perputhen me gzhojat qe jan gjet ne vendin e ngjarjes me at arm ti ki me kon i lir, 4.Hartografia e ka than te kunderten, me ate qe deklaron mbrojtja e ti”, shtoi ai.

Naser Pajazitaj tashmë është liruar nga akuza për vrasjen e Donjeta Pajazitaj dhe për shtatë vitet e kaluara në burg, ai do të kërkoj dëmshpërblim prej 1 milionë eurosh.