Trendi i punësimeve të aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje në ndërmarrje publike po vazhdon.
Arsim Fetahu, i cili më 10 shtator është zgjedhur kryeshef ekzekutiv i Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “ KRU Prishtina” ka lidhje të forta me partinë në pushtet.
Ai është vëlla i asamblistit të LV-së në Lipjan, Fatmir Fetahu.
Gazeta Nacionale ka siguruar edhe foto të përbashkëta të tyre.
Në vendimin e Bordit të “KRU Prishtina” thuhet se Fetahu, prej gjithsej 40 pikëve maksimale, ka marrë 28.3 pikë, duke u vlerësuar si kandidati më i suksesshëm për këtë pozitë.
Më 8 dhe 9 shtator janë mbajtur intervistat për pozitën e kryeshefit ekzekutiv të Ndërmarrjes Publike “KRU Prishtina”.

Në intervistim kishin marrë gjashtë kandidatë, ndërsa komisioni përmbahej nga katër anëtarë, Teua Ukshini-Aliu, kryesuese, Saxhide Mustafa, Albana Berisha- Qehaja, Fadil Berisha, anëtarë.
Në listën e vlerësimit i dyti është renditur Luan Hoti me 25.3 pikë, ndërsa i treti sipas listës së vlerësimit është renditur Sokol Xhafa me 23 pikë. Në vendin e katërt është renditur Shaqir Rexhepi me 20.8 pikë, në vendin e pestë Selatin Retkoceri me 15 pikë dhe në fund është renditur Fadil Bejta me 12.5 pikë.







