Veliu reagon ndaj plagosjes së policit: Sulmet ndaj tyre janë të papranueshme

Ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu ka reaguar ndaj plagosjes së policit që ndodhi në mëngjesin e sotëm.

Në reagim thuhet se plagosjen e policit i cili intervenoi në tentim grabitjen që po bëhej në një bankomat në Prishtinë, është shqetësuese.

Veliu thotë se sulmet ndaj zyrtarëve policorë janë të papranueshme.
“Ministria e Punëve të Brendshme dhe unë si Ministër me shqetësim të madh pranuam lajmin për plagosjen e zyrtarit policor sot në mëngjes. Sulmet ndaj zyrtarëve policor janë të papranueshme dhe Ministria e Punëve të Brendshme dënon ashpër çdo sulm ndaj zyrtarëve të saj dhe shpreh gatishmërinë që të përkrah punën e palodhshme të tyre.
Policia e Kosovës është shembull për punën, përkushtimin, integritetin dhe profesionalizmin jo vetëm në rajon por edhe më gjerë, mirëpo ajo po goditet shumë herë nga ata që për interes kanë de-stabilizimin, kaosin dhe përfitimet nga aktivitetet kriminale”, thuhet në reagim.

“Secili zyrtar policor është një kujtesë e rreziqeve me të cilat përballet Policia jonë gjatë shërbimit ndaj qytetarëve dhe ruajtjes së rendit dhe sigurisë. Shoqëria jonë duhet t’i dënojë këto akte dhe të bashkëpunojë ngushtë me Policinë e Kosovës në parandalimin dhe zbulimin e rasteve të tilla. Zyrtarët policorë në baza ditore vënë jetën e tyre në rrezik për mirëqenien tonë andaj respekti, integriteti, profesionalizmi i tyre na bënë krenar dhe obligues të gjithëve për mbështetjen dhe ndihmën e pa rezervë për Policinë tonë. Me këtë rast, unë si Ministër i Punëve të Brendshme i dëshiroj shërim të shpejtë zyrtarit policor, duke uruar që rastet e tilla të mos përsëriten më dhe ofroj mbështetjen time të plotë Policisë së Kosovës dhe organeve të tjera përgjegjëse për zbardhjen e rasteve të tilla sa më shpejtë. Ju na mbani të sigurt dhe jepni çdo gjë nga vetja juaj, faleminderit për guximin dhe përkushtimin tuaj!”, thuhet tutje në reagim.