Veliu ofendoi Osmanin, vjen reagimi i kabinetit të saj: Je turp për shoqërinë tonë! Je i neveritshëm! Je seksist! Je i paskrupullt!

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Agim Veliu, sot ka bërë një deklaratë lidhur me pamjen e ushtrueses së detyrës së presidentit, Vjosa Osmani.

Veliu ka bullizuar me Vjosa Osmanin për pamjen e saj, duke thënë se ‘është shumë e madhe dhe i duhet hapësirë”.

Tutje ai ka thënë për Periskopin se edhe po të largohet e gjithë Kryesia e LDK-së nuk do ta zë Osmanin.

E për këtë deklaratë të tij ka reaguar asistentja e Osmanit, Egnesa Vitia, e cila Veliun e quan turp për shoqërinë, seksist dhe të paskrupullt.

Vitia përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ka shkruar se Veliu nuk mund të jetë në krye të institucioneve tona, sepse sipas saj, ai s’mund të jetë as përfaqësim i askujt në këtë shoqëri sepse është sinonim i gjithçkaje nga e cila duhet të distancohemi përfundimisht.

Sipas saj, më e pakta që duhet të ndodhë është shkarkimi i menjëhershëm i Veliut.

Ky është postimi i saj i plotë:

Agim Veliu, je turp për shoqërinë tonë! Je i neveritshëm! Je seksist! Je i paskrupullt! Jemi të vetëdijshëm që këto janë momentet e fundit të ekzistencës tënde në skenën e politikës, por të lakmosh protagonizmin politik duke aplikuar bullizëm, sekzisëm e mizogjini është tërësisht e pafalshme, e patolerushme, e papranueshme. Është e neveritshme! Më e pakta që duhet të ndodhë tani është shkarkimi yt i menjëhershëm, e përgjigjen proporpocionale me aktin tënd të fundit do të ta japin qytetarët shumë shpejt. Ti nuk mund të jesh në krye të institucioneve tona, ti s’mund të jesh as përfaqësim i askujt në këtë shoqëri, sepse ti je sinonim i gjithçkaje nga e cila ne duhet të distancohemi përfundimisht. Ditët i ke të numëruara.