Veliu e Rakiq lënë komunat e tyre pa kryetarë, presidenti ende nuk ka vendosur për datën zgjedhjeve!

Për shkak të ndërrimit të qeverisë në vend, dy komunat, Podujeva dhe Mitrovica e Veriut, pritet të shkojnë në zgjedhje të reja.

Kjo pasi kryetari i Mitrovicës së Veriut, Goran Rakiq, është emëruar zv.kryeministër dhe ministër të Pushtetit Lokal me zgjedhjen e qeverisë së re.

Njësoj, edhe Podujeva ishte vendosur të shkonte në zgjedhje lokale, pasi Agim Veliu ishte emëruar ministër i Punëve të Brendshme.

Nga Zyra për Informim e Presidentit, thonë për GazetaBlic, se presidenti është duke përcjellur gjendjen nga pandemia në vend, dhe varësisht nga situata do të merret edhe vendimi.

“Presidenti në mënyrë të vazhdueshme po e përcjellë ecurinë e gjendjes së krijuar me pandeminë dhe në konsultim me KQZ-në dhe institucionet shëndetësore, varësisht prej rrethanave, do ta marrë vendimin e duhur”, thonë nga Zyra për Informim e Presidentit Thaçi.

Koha e mbajtjes së zgjedhjes në këto dy kmuna, pritet të ndërlidhet me rrethanat e pandemisë, COVID-19.

Zgjedhjet në Komunën e Podujevës ishin paraparë të mbahen më 15 mars, por për shkak të situatës në vend me përhapjen e koronavirusit të ri, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, me 14 mars pati vendosur t’i shtyjë ato.

Kujtojmë se situata e pandemisë COVID-19, ka eleminuar mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve të përgjithshme në vend, ashtu siç ka kërkuar edhe Lëvizja Vetëvendosje.

Për tu shmangur nga ky proces për shkak të pandemisë në Kosovë, presidenti Thaçi, kishte vendosur që të ia jepte mandatin Lidhjes Demokratike të Kosovës për formimin e qeverisë.

Por ky veprim i presidentit, bëri që Vetëvendosje të dërgonte dekretin në Gjykatën Kushtetuese, ku kjo e fundit i dha të drejtë LDK-së për formimin e qeverisë.

Vetëm pas 4 muajsh nga qeverisja e Kurtit, Hoti u zgjodh kryeministër i Kosovës me 61 vota pro.