Veliu e quan gënjeshtar Kurtin, thotë se sot nisin mbledhjen e nënshkrimeve për mocionin

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Agim Veliu që dje u shkarkua nga pozita e ministrit, ka deklaruar se shefi i qeverisë, Albin Kurti e ka gënjyer publikun për arsyen se pse e ka hequr nga detyra. Kjo, sipas Veliut ka ndodhur për shkak të mllefit që Kurti e ka pasur ndaj tij.

Sipas Veliut, ky mllef iu është mbledhur me kohë kryeministrit Albin Kurti. Ai madje thotë, se për këtë arsye mund t’i ketë ndihmuar ndonjë mik apo mikeshë kryeministrit, por, që nuk përmend emra.

“Kryeministri e ka gënjyer publikun me arsyen e shkarkimit tim, jam shkarkuar për shkak të mllefit qe ka e ka personalisht ndaj meje. Mllefi që iu është akumuluar me kohë, Albin Kurtit ndaj meje, ndoshta i ndihmuar ky mllef nga një mik apo mikeshë e tij”, deklaroi Veliu në RTK.

Ish-ministru shton se vendimi i Kurtit për shkarkim është përpjekje qyqare e tij për ta hequr vëmendjen nga koronavirusi.

“Kam punu prej ditës së parë pa kursim, sigurisht pritjet e tij ndoshta si kam arsyetu sepse ai ka pas tjera projeksione, ato përmes meje nuk janë realizu, mirëpo, vendimi i tij për shkarkim është përpjekje e tij qyqare që vëmendjen e opinionit ta orientojë dika tjetër”, shton ai.

 Veliu e ka kritikuar Kurtin për siç ka thënë ai mos punë dhe qëndrim mbyllur, duke shtuar se ai është marrë me teori konspirative.

“Kjo është përpjekje e tij që të shmanget nga obligimet e tij, po shihet që këtyre ditëve nuk ka marrë vendim që tre ditë ka qëndru i mbyllur, është bë një plotësim i një vendimit të qeverisë me presionin tonë, një sjellje e tij e pakuptueshme, duke u marrë vetëm më teori konspirative që ai i ka zanat këto punë”, shton ai.

Nënkryetari i LDK’së, ka thënë se do të mblidhen në organe të partisë për të parë se çka do të veprojnë më tutje sa i përket nënshkrimeve që ju duhen për mocionin.

“Do të mblidhemi në organet tona që të vendosim çka do të veprojmë më tutje, besoj që mbledhja e nënshkrimeve do të ndodhë sot gjatë ditës. Edhe në momentin kur kompletohet kërkesat ajo do të procedohet më tutje”, deklaroi Veliu.