Ish-Kryetari i Podujvës, Agim Veliu i cili dha dorëheqja nga posti i të parit të komunës për të marrë detyrën e Ministrit të Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me Partinë e Drejtësisë në këtë komunë për të mbështetur kandidatin e LDK-së në zgjedhjet e 15 marsit.
Nënkryetari i LDK-së, ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me Esat Ejupin, kryetar i Partisë së Drejtësisë në Podujevë për të mbështetur Nexhmi Rudarin në zgjedhjet për kryetar të Podujevës.
“Me kryetarin e Partisë së Drejtësisë në Podujevë, zotin Esat Ejupi, sot rikonfirmuam marrëveshjen e bashkëpunimit, sipas së cilës kjo parti, me të gjitha strukturat dhe anëtarësinë e saj do ta mbështesë kandidatin e LDK-së për kryetar të Komunës së Podujevës, zotin Nexhmi Rudari”, ka shkruar Veliu në Facebook.
Komuna e Podujevës aktualisht është duke u drejtuar nga nënkryetari i Nexhmi Rudari i cili është edhe kandidat i LDK-së për kryetar të Podujevës në zgjedhjet që do të mbahen më 15 mars.







