Zgjedhjet në Podujevë

Veliu apel llapjanëve para zgjedhjeve: Mos bini pre e interesave të VV-së dhe atyre që na lanë pa viza

Ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu, njëherësh edhe ish-kryetar i komunës së Podujevës, i ka bërë thirrje qytetarëve llapjanë të dalin masivisht në zgjedhje.

Veliu, përmes një postimi në llogarinë e tij, në anën tjetër, ka hedhur akuza ndaj kandidatit nga radhët e LVV’së për kryetar komune, Shpejtim Bulliqit.

Ish-kreu i kësaj komune iu ka bërë thirrje tutje llapjanëve që ta ruajnë frymën rugoviane, që sipas tij, është kultivuar tash e 30 vite.

Postimi i plotë:

Të nderuar llapjanë,

Në këtë kohë pandemie shpresoj dhe uroj të jeni mirë ju dhe familjet e juaja. Institucionet shtetërore po bëjnë të pamundurën për të menaxhuar këtë pandemi globale, e cila ka kapluar globin. Uroj që ta tejkalojmë këtë pandemi për t’iu kthyer normalitetit.

Në këtë situatë të vështirë, qytetarëve të komunës sonë ju nevojitet lidership profesional, me përvojë dhe një personalitet me biografi të pastër për të na udhëhequr. Të dielën të gjithë llapjanët me të drejtë vote, do t’iu drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur kryetarin e tyre.

Mandati i kryetarit do të jetë i shkurtër, por pesha e këtij vendimi do të jetë e madhe për të ardhmen e komunës sonë, por edhe të Kosovës në përgjithësi.

Tendencat për ta goditur LDK-në mu në zemrën e saj – në Podujevë, do të dështojnë me fitoren bindëse të Nexhmi Rudarit në zgjedhje.

Ka përpjekje të mëdha për ta shkëputur Llapin nga LDK-ja dhe fryma Rugoviane. Ne i kemi identifikuar dhe denoncuar këto përpjekje të cilat janë të pashpresa. Llapjanët i dhanë besën Presidentit Rugova dhe LDK-së 30 vite më parë dhe sot e mot ne e mbajmë besën e dhënë. Sepse ne jemi besnikë autoktonë të pathyeshëm edhe në kohë të mira edhe në kohë të vështira.

Ju besoni dhe jeni besnikë edhe kur ju kërcënojnë, edhe kur ju përbuzin, edhe kur ju getoizojnë, edhe gjithmonë.

Besimin në LDK-në dhe Rugovizëm llapjanët asnjëherë nuk e kalkulojnë me interesa. Besimi i llapjanëve as nuk blihet, as nuk shitet kurrë. Ju keni dhënë dëshmi 30 vjet konsistencë ndaj LDK dhe programit të saj për liri dhe shtetndërtim.

Nexhmi Rudari është një personalitet me përvojë në institucionet shtetërore, është familjar i mirë, atdhetar, figurë e pastër dhe punëtor. Urtësia dhe përkushtimi i z.Rudari për të punuar për qytetarët, është tipike për një llapjan dhe rugovist njëkohësisht.

Kundërshtari i Rudarit dhe i LDK-së në zgjedhjet e së dielës i ka ndërruar tri parti politike për tri vite, ndërsa me kauza të rrejshme, që iu kanë kushtuar taksapaguesve kosovarë qindra mijëra euro, i ka dëmtuar interesat nacionale, duke na armiqësuar me aleatët ndërkombëtarë dhe duke na lënë pa viza.

Ne llapjanët e njohim mirë njëri-tjetrin, nuk biem pre e manipulimeve dhe mashtrimeve të atyre që përfaqësojnë interesa të ekstremit të majtë.

Të dashur llapjanë,

Ju bëj thirrje që të dielën, sikur në 30 vitet e kaluara, të dilni sa më masivisht në zgjedhje dhe të votoni për kryetarin e ri, Nexhmi Rudarin me numri 11.

Me këtë vendim ju bëni me dije, se kalaja e LDK-së është dhe do të jetë e pamposhtur.