Vehbi Kajtazi “godet”: Zyrtari i UDB-së, që e arrestoi dhe e torturoi Kolë Berishën, në krah me Albulena Haxhiun

Gazetari Vehbi Kajtazi në një postim në Facebook ka thënë se Enver Krasniqi i cili është emëruar ud/drejtor për Sekuestrim të Pasurisë së paligjshme ka qenë shef i shërbimit informativ serb në Klinë.

Kajtazi theksoi se Enver Krasniqi, para se të zgjedhej në postin aktual, më parë ka shërbyer si shef i shërbimit informativ serb në Klinë.

Akuzat e ndaj Krasniqit vazhduan edhe më tej, kur gazetari përmendi se Krasniqi gjithashtu ka burgosur dhe torturuar patriotin e njohur Kolë Berisha. Këto pretendime janë konfirmuar edhe nga anëtarët e familjes së Berishës.

“Enver Krasniqi, i përzgjedhuri i Albulena Haxhiut per ud drejtor të Agjencise për Sekuestrim dhe Konfiskim të Pasurisë së paligjshme, i cili ka qenë shef i UDB-së në Klinë, ka burgosur dhe torturuar patriotin Kolë Berisha. Berisha, ka qenë zëveëdes i Ibrahim Rugoves, në emrin e të cilit thirrët presidentja Vjosa Osmani, e cila kryen sherbime politike për Albin Kurtin.” – ka shkruar Kajtazi.

Lidhur me emërimin e Enver Krasniqit në pozitën e ud/drejtorit për Sekuestrim të Pasurisë së paligjshme ka reaguar edhe djali i Kolë Berishës i cili ka komentuar shkurt duke thënë “Të kërkoj falje babë, këta nuk e dijnë çka bajnë!

Për këto raportime, Nacionale ka kontaktuar me ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, për të marrë një përgjigje. Mirëpo, Haxhiu është përgjigjur shkurt duke kërkuar që të njëjtat pyetje t’i drejtohen edhe Ministrisë së Drejtësisë.

Nacionale po ashtu ka provuar të kontaktojë edhe Krasniqin lidhur me raportimet në rrjetin e tij social “Facebook” por deri në momentin e publikimit të këtij teksti ende nuk ka kthyer përgjigje.