E përditshmja turke, Hurriyet, raporton se sulmuesi i ekipit kombëtar të Kosovës dhe Rizesporit, Vedat Muriqi, është afër arritjes së marrëveshjes për t’u transferuar te Fenerbaçe gjatë verës.
Afati kalimtar i verës hapet më 1 korrik dhe klubet turke duket se tashmë i kanë filluar përgatitjet për të bërë përforcimet e duhura gjatë asaj periudhe.
Hurriyet raporton se Fenerbahçe ka arritur marrëveshje në princip për ta transferuar Vedat Muriqin gjatë afatit kalimtar të verës, për tre milionë euro, pas paraqitjeve mbresëlënëse që kosovari i ka bërë në Turqi.
Muriqi besohet se do të nënshkruajë kontratë trevjeçare me Fenerbahçen që do ta mbante atë te klubi turk deri në vitin 2022.
24-vjeçari ka qenë tejet mbresëlënës këtë sezon në Turqi. Në 29 ndeshjet e zhvilluara në Super Ligën e Turqisë dhe Kupën e Turqisë, ai i ka shënuar 12 gola dhe i ka asistuar shtatë të tjera.
Në anën tjetër, Muriqi i ka bërë 18 paraqitje për Kosovën që nga debutimi i tij më 9 tetor të vitit 2016. Gjatë kësaj kohe, ai i ka shënuar katër gola dhe e ka asistuar një tjetër.







