Vdiq kryeredaktori i enciklopedisë maqedonase që i fyente shqiptarët

Ka vdekur në moshën 87 vjeçare ish-kryeredaktori i Enciklopedisë Maqedonase, akademiku ultranacionalist Bllazhe Ristovski, njofton Portalb.mk.

Ristovski ishte anëtar i rregullt i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë (ASHAM) që nga viti 1996.

Ai do të kujtohet për qëndrimet e tij fyese ndaj shqiptarëve nëpërmjet Enciklopedisë skandaloze në vitin 2009, kur në pushtet ishte kryeministri i atëhershëm, Nikolla Gruevski.

Në atë enciklopedi shqiptarët ishin quajtur barbarë të cilët vinin nga malet e veriut të Shqipërisë dhe uzurponin tokat maqedonase gjatë shekullit VII.

“Prejardhja e shqiptarëve të Maqedonisë është nga Veriu i Shqipërisë, fisi i gegëve dhe vendosja e tyre fillimisht ishte nëpër qytetet si Tetovë e Gostivar, të cilët me ndihmën e bandave të kaçakëve terrorizuan popullsinë maqedonase duke i detyruar të shpërngulen, për rrjedhojë vatrat maqedonase dhe fshatrat e tyre u populluan me shqiptarë”, shkruante ndër të tjerat në enciklopedinë maqedonase, ky kryeredaktor ishte Ristovski.

Për shkak të të pavërtetave ofenduese për shqiptarët e Maqedonisë, ASHAM e tërhoqi nga qarkullimi enciklopedinë e publikuar në shtator të vitit 2009. Asokohe u formuar një këshill që duhej të bëjë revidimin e enciklopedisë, por i njëjti nuk ka kryer ndonjë funksion. Dhe derisa flitej e përflitej për të njëjtën, gjysma e kopjeve të botimit u shpërnda me “gabimet” ekzistuese.