Aktori kanadez

Vdiq ikona e Hollywoodit, Donald Sutherland

Ikona e Hollywoodit, Donald Sutherland, ka vdekur në moshën 88-vjeçare.

Aktori kanadez ka vdekur pas një lufte të gjatë me një sëmundje, ka treguar djali i tij, po ashtu aktor, Kiefer Sutherland.

Karriera e Sutherlandit ka zgjatur mbi gjashtë dekada dhe ka përfshirë paraqitjet në filma të ndryshëm si “The Hunger Games” dhe filmin horror të vitit 1970 “Don’t Look Now”.

“Me zemër të thyer, po ju tregoj se babai im, Donald Sutherland, ka vdekur. Personalisht mendoj se ka qenë aktori më i rëndësishëm në historinë e filmit”, ka thënë Kiefer, në rrjetin social X. “Sypatrembur pavarësisht rolit; i mirë, i keq ose i shëmtuar. Atij i ka pëlqyer çka ka bërë dhe ka bërë çka ka dashur, e askush nuk mund të kërkojë më shumë se kaq. Jetë e jetuar mirë”.

Ylli i mirënjohur ka fituar çmime të ndryshme duke përfshirë një Golden Globe për filmin “Path to War”, një çmim Emmy dhe një Golden Globe për performancën e tij në serialin “Citizen X”, e gjithashtu një Critics Choice Award.