Ish komandanti i Koshares, tash deputet i LDK-së, Fadil Hadërgjonaj ka njoftuar se ka vdekur bashkëluftëtari i tij, Selman Kajtazi i njohur si “Lika”.

“Me dhimbje të madhe mora lajmin për ndarje nga jeta e bashkëluftëtarit tonë Selman Kajtazi i njohur me nofkën e luftës “Lika”. Komandant Lika, bashkë me komandant Drenica – Jetullah Gashi, me kompaninë e tyre, pjesë e së cilës ishte edhe vëllai i Likës – Sakipi, ishin të pathyeshëm në luftimet e përditshme që zhvilloheshin kundër forcave të shumta të armikut, në Rrasë të Koshares.

Pozicioni i tyre ishte jetik dhe vendimtar për ecurinë e luftimeve në Rrasë të Koshares e rrjedhimisht për tërë frontin e Koshares”, ka shkruar Hadërgjonaj.

Ai tutje shkruan se trimëria, vendosmëria, qëndresa dhe shkathtësitë drejtuese e operuese të Likës, Jetës me bashkëluftëtarë, armikut i shkaktuan humbje të mëdha, përkundër angazhimit të njësiteve më elitare që kishte, thjesht i shkaktuan tmerrin dhe ferrin armikut!

“Familjes, bashkëluftëtarëve e të gjithë atyre të cilët e njohën, u shpreh ngushëllimet më të sinqerta, kurse komandant Lika u prehtë në paqe, në tokën e Dardanisë për të cilën luftoj dhe punoj deri në momentin e fundit të jetës! Lavdi Selman Kajtazi-Lika!”, ka shkruar Hadërgjonaj. /Ballkani.info/