Vdes një shtetas austriak në një hotel në rrugën Prishtinë-Shkup, policia jep detaje

Një shtetas i Austrisë është gjetur i vdekur në një nga hotelet e kryeqytetit. Rasti po cilësohet si vdekje e dyshimtë.

Lajmin e ka konfirmuar për Ballkani.info, zëdhënësja e Policisë së Kosovës, Florie Ahmeti.

“Sot në stacionin policor të Graqanicës, është inicuar një rast si vdekje e dyshimtë. Rasti ka ndodhur në një hotel në rrugën Prishtinë-Shkup. Vdekjen e viktimës mashkull, shtetas austriak, e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendngjarje”, ka thënë Ahmeti.

Në fund, ajo ka thënë se aktualisht njesitet policore janë duke punuar në ndriçimin dhe sqarimin e të gjitha rrethanave që lidhen me rastin. /Ballkani.info