Vdes nga koronavirusi ish-kampioni i boksit shqiptar

Pas afro dy javëve në terapi intensive, Skënder Kurti humbi betejën me koronavirusin.


Ish-kampioni i boksit shqiptar, më 23 mars, kaloi në vdekje klinike dhe prej asaj dite mjekët po bënin të pamundurën për ta mbajtur në jetë me ndihmën e aparaturave.

Megjithatë, 61-vjeçari nuk ia doli, duke e çuar në 21 numrin e viktimave nga koronavirusi në vendin tonë.

Një humbje, e cila bën që edhe sporti shqiptar të jetë në zi, sepse pas tërheqjes nga ringu, Kurti qëndroi aktiv në boks, duke qenë për 30 vjet trajner, ku ka drejtuar ekipin e Tiranës dhe kombëtaren shqiptare.

Njoftimi i plotë i Ministrisë së Shëndetësisë

Ka ndërruar jetë sot në spitalin infektiv 61-vjeçari me inicialet S.K., i shtruar prej 20 ditësh në spital, në gjendje të rëndë, i intubuar. Më herët 61-vjeçari nga Tirana pësoi vdekje klinike dhe prej disa ditësh gjendja e tij ishte rënduar së tepërmi.

Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve të Spitalit Infektiv në terapinë intensive, 61-vjeçari që vuante nga hipertensioni, nuk ia ka dalë të mbijetojë.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i shpreh ngushëllimet familjes së të ndjerit. Ministria e Shëndetësisë i kërkon qytetarëve të vijojnë të respektojnë masat e distancimit social. Është po kaq e rëndësishme që masat e kontrollit të infeksionit të respektohen maksimalisht edhe brenda rretheve familjare, duke shmangur vizitat tek të afërmit për çdo lloj arsye, për të parandaluar transmetimin e COVID-19.