Një infermiere shtatzënë në Britani të Madhe raportohet se ka vdekur pasi rezultoi pozitiv në testin për koronavirus, por fëmija i saj ka shpëtuar.
Infermierja, 28 vjeçe, iu nënshtrua një prerje urgjente cezariane për të lindur fëmijën e saj pasi gjendja e saj u rëndua, raporton ‘Mirror’.
Mjekët fillimisht menduan se ajo po tregonte shenja të përmirësimit pas lindjes, por ajo ndërroi jetë të dielën, sipas ‘Channel 4’.
Vogëlushja mësohet se është gjallë dhe është në kujdesje të personelit mjekësor, por nëna ia ka bartur edhe asaj virusin.
Ndryshe, bilanci i viktimave nga Covid-19 në Britani po vazhdon të rëndohet.
Gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar 778 viktima, ku në total, 12 mijë e 107 persona e kanë humbur këtë betejë me pandeminë.







