Vdekja e vajzës nga Fushtica/ I ati akuzon doktorët për neglizhencë, Drejtoria e Shëndetësisë jep detajet

Sot në orët e hershme të mengjesit, ka ndërruar jetë 16 vjeçarja, Anita Mehmeti.

DrenicaSot ka bërë një kronologji të ngjarjës duke ngërthyer në vete të gjitha palët përgjegjëse që lidhen me vdekjen e vajzës nga Drenasi.

Drejtori i Shëndetësisë në Drenas, Arsim Haxhiu ka dhënë detajet e vdekjës së të resë ekskluzivisht për portalin tonë, teksa tregon se sipas raportit vajza për herë të parë është paraqitur në çadrën e triazhimit në Komoran, e po aty menjëherë është kontrolluar nga doktori që ishte në orar, në datën 13 maj, rreth orës 19:30.

Jo më shumë se 8 apo 9 orë (14 maj, pas mesnate), e ndjera kishte probleme me stomakun thuajse të padurueshme, dhe prindi i saj (Rrahim Mehmeti) e kishte dërguar përsëri në Komoran, ku iu dha një udhëzim për të bërë një fotografim të abdomenit, apo sic njihet në gjuhën e mjekësisë ECHO, tha Haxhiu.

“Më datë 14 maj, mëngjesin e djeshëm, Anita kishte bërë një kontrollë nga ku ishte udhëzuar nga radiologu për të shkuar menjëherë në emergjencë në QKUK, Prishtinë, nën dyshimet se vajza kishte probleme me zorrën qorre”, tha Haxhiu.

I ati i Anitës, ka konfirmuar për Drenicasot, se është detyruar për të marrë një tjetër veturë, pasi që e vetja kishte probleme në atë moment, teksa në Drenas, autoambulanca ishte duke u marrë me një rast tjetër të një pacienti me problem në zemër nga Komorani dhe nuk ishte në dispozicion.

Rrahim Mehmeti deklaron se është nisur për në Prishtinë dhe fillimisht është orientuar që vajza të rehabilitohet në Kirurgjinë e fëmijëve, derisa të i jepej një diagnozë, e  paraprakisht në emergjencë nga stafi kujdestarë, ishte konstatuar se Anita mund të kishte problem me zorrën qorre (diagnoza e parë), teksa pasi që iu bë një ingjizim, prindërve të saj iu tha që ajo duhet të shtrihet në një tjetër repart, se  kishte dyshime për një shpërthim në “idhëz” (diagnoza e dytë), teksa në atë rast iu bë prap një fotografim, që rezultojë që vajza nuk e kishte atë problem.

Pas disa orë sorollatjesh lartë e poshtë, Rrahimi thotë se vajza u kthye prap në veturë me të për në shtëpi me udhëzimin e mjekëve në QKUK.

Anita kishte ndjerë përsëri dhimbje të hatashme në orët e hershme të ditës së sotshme.

Pas kishte shkuar përsëri në QKUK, i ati tregon:

“Asaj iu bë fotografim i tërë trupit në QKUK krejt në fund, vajza nuk ishte shtrirë asnjëherë në spital gjatë këtyre ditëve, gjë që sipas tij duhej të ndodhte, kishte neglizhencë të paparë, momentin kur u udhëzua të shtrihej, vajza vetëm po ligështohej shumë, mua mu tha që të shkoja të hapja historinë në recepsion, shkova aty për të hapur historinë e shtrimit të vajzës në njërin nga repartet, derisa kur u ktheva pash gruan time teksa bërtiste dhe aty e dita se cka ka ndodh, vajza i kishte sytë hapur dhe e dija që ka vdek”, thotë prindi i të ndjerës për DrenicaSot.

Ai shton se mjekët në ato momente u munduan ta mbanin në jetë me pegllat e zemrës, që ia kanë arrit me rikthy në jetë, por ajo vetëm  për një kohë të shkurtër, tha Mehmeti.

Atij iu tha se vajza e tij sipas fotografimit të të gjithë trupit ka pasur sulm në zemër (diagnoza e tretë), por që vetë Mehmeti mohon të kishte pasur një të tillë, dhe se mjekët po nuk po dinin as diagnozën e vajzës së tij, e në gjithë atë hall në disa momente tha se ka qenë shumë i acaruar saqë kishte menduar për të krijuar një zhurmë, apo të i kundërvihet mjekëve, por se këtë nuk e bëri dhe u mundua që sa më shumë ta kontrollojë vetën.

Vajza vdiq në QKUK, teksa si përfundim, Mehmeti për DrenicaSot thotë se sikur rasti të ishte marrë me prioritet vajza e tij, Anita Mehmeti sot do të ishte gjallë.

Anita Mehmeti ishte nxënëse e shkëlqyer e shkollës fillore “Luigj Gurakuqi” të fshatit Sankoc.

Për rastin në fjalë ka shprehur ngushëllim edhe kryetari i komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci.