Një i moshuar vdiq pasi ra në një pusetë të hapur. Prokuroria nisi hetimet për rastin, pasi ngjarja tragjike ndodhi përgjatë magjistrales Prishtinë – Podujevë ku po kryhen punime. Ndërsa, Vetëvendosje dhe LDK kanë akuzuar njëra-tjetrën për neglizhencë. Komuna tha se përgjegjëse është Ministria e Infrastrukturës.

Vdekja e një personi të moshuar pasi ra në një pusetë të hapur në Prishtinë ka nxitur përplasje në mes të Lëvizjes Vetëvendosje dhe udhëheqësisë së Komunës së Prishtinës. Ishte Gëzim Sveçla i Lëvizjes Vetëvendosje ai i cili akuzoi komunën që udhëhiqet nga Përparim Rama se po e rrezikon jetën e qytetarëve në çdo moment. Në një formë ai e fajësoi komunën për pusetat e hapura, në të cilat jo në pak raste po bien qytetarët.

“Ndërkohë që promovohen kontrata 18 milionëshe për shesh, 12 milionë për vizatime të arkitektëve, miliona për digjitalizime të parkingjeve, e shumë të tjera – neve na vdesin njerëzit në puseta. Është e tmerrshme me ndodh kjo në vitin 2024 në kryeqytet. Kaq vlenë jeta e njeriut në Prishtinë. Të rrezikuar në çdo hap, në çdo moment, qoftë nga kulmet që fluturojnë, nga lisat që rrëzohen nga era apo nga pusetat e hapura. Ngushëllime familjarëve e hetim dhe përgjegjësi për rastin”, ka thënë ai dje.

Por ndryshe u deklaruan nga komuna. Në një reagim ata thanë se i moshuari ka rënë në një pusetë që është e hapur përgjatë punimeve në magjistralen Prishtinë – Podujevë, punime të cilat menaxhohen nga Ministria e Infrastrukturës.  Kësisoj sipas tyre, komuna s’ka faj pse ajo pusetë ishte e hapur.

“Më datën 09 gusht 2024, një i moshuar ka rënë në një pusetë të hapur përgjatë rrugës magjistrale Prishtinë – Podujevë. Si pasojë, personi në fjalë ka ndërruar jetë me 19 gusht. I shprehim ngushëllimet më të sinqerta familjes së të ndjerit. Dëshirojmë të sqarojmë për publikun se është konstatuar nga ekipet tona dhe konfirmuar nga Policia e Kosovës, se puseta në të cilën ka rënë i ndjeri është në rrugën magjistrale Prishtinë – Podujevë”, thuhet në reagimin e komunës.

Ata kanë akuzuar përfaqësuesit e VV-së në Komunë se po japin deklarata të pavërteta, pasi pjesa e pusetës ku ka rënë i ndjeri, sipas komunës është duke u menaxhuar nga Qeveria për shkak të punimeve.

“Kjo rrugë magjistrale nuk është në kompetencë të Kryeqytetit, por në kompetencë të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe pjesë e punimeve të menaxhuara nga Qeveria. Janë për keqardhje deklaratat e pavërteta nga përfaqësues të Lëvizjes Vetëvendosje të cilët këtë fatkeqësi të rëndë tentojnë t’a politizojnë dhe përmes shpifjeve tentojnë t’ia hedhin fajin organeve të Kryeqytetit”, thuhet tutje në reagim.

Prokuroria Themelore në Prishtinë tashmë veçse ka nisur hetimet lidhur me vdekjen e një të moshuari pasi ra në një puset të hapur më 9 gusht. Zëdhënësja e prokurorisë, Laureta Ulaj ka thënë për Express se rasti është hapur si “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”.

“Ju njoftojmë se ditën kur është raportuar rasti në fjalë, Prokurori i Shtetit ka iniciuar hetime në drejtim të veprës penale “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”, sipas KPRK-së. Meqenëse viktima ka vdekur në QKUK, Prokuroria ka lëshuar urdhëresë për obduksion, në IML, ndërsa ndaj këtij rasti janë duke u ndërmarrë veprime hetimore në bashkëpunim me policinë”, ka thënë ajo për Express.

Vdekjen e të moshuarit e konfirmoi dje edhe Policia e Kosovës.

Sipas tyre, ai ra në një puset të hapur me ç’rast pësoi lëndime të rënda e më pas 10 ditësh vdiq.

“ASGJËSIM, DËMTIM APO HEQJE E PAJISJEVE MBROJTËSE- Prishtinë / 09.08.2024 – 21:30. Më 19.08.2024 në QKUK ka ndërruar jetë viktima mashkull kosovar i cili ishte duke u trajtuar në QKUK si pasojë e lëndimeve të pësuara pasi kishte rënë në një puset të hapur më 09.08.2024. Në konsultim me prokurorin është inicuar rasti dhe mbetet në hetime.”, ka konfirmuar dje policia.

Në ndërkohë, pustetat e hapura janë bërë një problem në kryeqytet.

Hiç më larg se më 25 qershor të këtij viti një vajzë kishte rënë në një puset në qendër, përkatësisht në afërsi të “New Born”-it.

Komuna ndërhyri për ta rregulluar atë vetëm pas raportimeve në media.