Vdekja e dyshimtë e biznesmenit nga Vushtrria, detaje se çka u gjet në vendin ku dyshohet se i dha fund jetës

Një ngjarje të rëndë ka ndodhur në fshatin Dobërllukë të komunës së Vushtrrisë, ku një person është gjetur pa shenja jete në depon e biznesit të tij. Viktima është biznesmeni vushtrrias, Behxhet Uka, 54-vjeçar, i cili dyshohet se ka kryer vetëvrasje.

I ndjeri vuante nga një sëmundje e rëndë, e cila e kishte shtyrë që të izolohet tërësisht nga kontakti me njerëz.

Sinjali mëson se si pasojë e kësaj, 54-vjeçari kishte rënë në depresion, për çka edhe dyshohet se mori vendimin që t’i japë fund jetës së tij.

Si vend për të kryer këtë akt tragjik, Uka kishte zgjedhur depon e biznesit të tij ‘Uka Izolim’, ku njësitet hetimore dhe ato të Forenzikës pas daljes në vendin e ngjarjes kanë gjetur një revolenjë karikator10 fishekë dhe një gëzhojë, të cilat më pas janë konfiskuar.

Uka është gjetur pa shenja jete sot rreth orës 10:00, ku nga ekzaminimi i trupit nga ana e mjekëve, është identifikuar një vrimë hyrëse në kokën e tij, që dyshohet se është shkaktuar nga arma e zjarrit e cila u gjet në prehrin e tij.

Rastin e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Policisë për rajonin e Mitrovicës, Ilmi Prekazi, duke thënë që po trajtohet si vdekje e dyshimtë.

Prekazi për Sinjalin tha se i ndjeri ka pasur shenja gjaku në pjesën e sipërme të trupit dhe një armë ka qenë në prehrin e tij.