Vazhdon të jetë aktiv zjarri në malin e Karadakut

Zjarri në malin e Karadakut, i cili shpërtheu sot rreth orës 13:00, është ende aktiv.

Po digjet pylli rreth 1400 metra lartësi mbidetare, me një perimetër të madh. Për shkak të erës së fortë zjarri po përhapet nga ana e Kumanovës drejtë Shkupit dhe sonte duket me sy të lirë edhe nga qyteti i Shkupit, njofton AlsatM.

Ekipet zjarrfikëse janë në teren, ndërsa gjatë ditës ishte intervenuar edhe me aeroplan, duke hedhur ujë nga ajri.

Komandanti i brigadës zjarrfikëse të qytetit të Shkupit, Vladimir Simonovski, deklaroi se aksioni vazhdon nesër me aviacion, sepse aeroplanët nuk kanë pajisje për fluturim në orët e natës.