Zyrtari për informim në Komunën e Klinës, Mirsad Dakaj ka hedhur poshtë pretendimet e Komunës së Malishevës dhe Ministrisë së Infrastrukturës se rruga e dëmtuar nga vërshimet që lidh fshatin Rud të Malishevës me atë Sferkë të Klinës, është ndërtuar nga komuna e Klinës, shkruan Ballkani.info.

“Vërtetë është e çuditshme se si institucionet lejojnë zyrtarë të papërgjegjshëm të japin deklarata për media, e që duke u mundu me fshehë përgjegjësinë e vet mundohen t`i përlyejnë edhe të tjerët padrejtësisht. Rruga që lidhë fshatin Rud të Malishevës dhe Sferkë të Klinës është bashkëfinancim në mes të Komunës së Malishevës dhe Ministrisë së Infrastrukturës. Zyrtarë të përgjegjshëm të këtyre institucioneve, për hirë të informimit të saktë, duhet të dalin e të flasin hapur kush i ka udhëheqë procedurat e prokurimit dhe përgjegjësi e kujt ka qenë mbikëqyrja e këtij projekti”, ka thënë Dakaj.

Dëmtimi i kësaj rruge është kritikuar pas vërshimeve të djeshme, pasi që cilësia e asfaltit shihet të jetë shumë e dobët. /Ballkani.info/