Vazhdon lufta mes Prokurorisë dhe Doganës për ‘Bentleyn’ 200 mijë eurosh të Morena Tarakut

Prokuroria dhe Dogana e Kosovës nuk po mund të merren vesh për rastin e Morena Tarakut dhe tentimit të saj për të sjellë në Kosovë një veturë super lukszore duke tentuar t’i ikte detyrimeve të doganimit.

Në një komunikatë për media të lëshuar nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, vjen sqarimi i tyre për rastin e Morena Tarakut dhe tentimit për zhdoganim të ‘Bentleyt’ të saj, e gjithashtu edhe për sinjalizuesit që kanë nxjerrë në publik dokumentet e lëshuara nga Prokuroria për rastin e hetimit të veturës së Tarakut.

Sipas kësaj komunikate, rasti i Morenës nuk është mbyllur më datën 15 tetor, kur është bërë kërkesa nga Dogana në lidhje me zhdoganimin e veturës.

“Prokuroria Themelore në Prishtinë, me qëllim të informimit të drejtë të opinionit, ndjehet e obliguar të sqarojë se, më 15.10.2019, kjo prokurori ka pranuar nga Njësia e Hetimeve të Doganës së Kosovës një Raport Njoftues, lidhur me zhdoganimin e veturës së markës “Bently”, si dhe është kërkuar nga kjo prokurori ta lëshoj një vendim, i cili do ta identifikoj veturën si të re apo të përdorur në procedurën e zhdoganimit të saj”, thuhet në komunikatë.

E në ditët në vijim është raportuar se është marrë vendimi nga Prokuroria që rasti të mbyllet dhe që vetura me vlerë prej 200 mijë euro të njihet si e re.

“Prandaj, nuk qëndron ajo që është shkruar në media, se rasti është i mbyllur në Prokurori, për faktin se në të njëjtën ditë, më 15.10.2019, prokurori i çështjes, ka lëshuar autorizim për ndërmarrjen e veprimeve paraprake hetimore. Dokumenti në fjalë-autorizimi, është dokument zyrtar, i cili i është dhënë hetuesve doganor, në bazë të të cilit të njëjtit kanë qenë të obliguar të ndërmarrin veprime hetimore për të zbardhur të vërtetën që ka të bëjë me zhdoganimin e veturës së markës “Bently”, që është përmendur në Raportin Informues. Ky dokument në asnjë mënyrë nuk ka guxuar të publikohet”, sqarohet në komunikatë.

Megjithatë, nuk ka mbaruar me kaq!

Në media kanë dalë detaje të një dokumenti që Prokuroria ka dërguar në Doganë, ku janë treguar detajet e kërkesës së Prokurorisë për hetimet, e gjithashtu edhe detaje ku tregohej se vetura është regjistruar muaj më parë në Gjermani.

Kështu, Prokuroria ka vendosur që të fillojë hetimet për sinjalizuesit që kanë nxjerrë në publik këtë dokument, me ç’rast kanë filluar edhe reagime të shumta.

“Sa i përket sinjalizuesve, Prokurori i Shtetit, respekton, mbron dhe zbaton Ligjin për Mbrojtjen e Sinjalizuesve, por në rastin konkret nuk kemi të bëjmë me sinjalizuesit, siç është shkruar në media, për shkak se bazuar në nenin 10 paragrafi 1, nën paragrafi 1.3, të këtij ligji, sinjalizuesi nuk gëzon mbrojtje juridike nëse ka ose mund të ketë dijeni se informacioni i shpalosur është i rremë. Andaj, informatat e publikuara në media, nuk përputhen me gjendjen faktike dhe juridike në rastin konkret”, thotë Prokuroria.

loading…