Vazhdon gjuetia e Putinit ndaj opozitës ruse, bota reagon ndaj arrestimit të Navalnyt

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka vazhduar gjuetinë e tij ndaj opozitës ruse, duke vazhduar me metodat e persekutimit. Po sa ka hyrë në territorin rus, opozitari Alexei Navalny, është arrestuar nga garda në aeroport në prezencë të shumë mediave.

Këtë akt të Putinit e kanë dënuar të gjitha vendet e botës, duke e konsideruar të papranueshme dhe diktaturë që ka instaluar Putinit ndaj opozitës. Udhëheqësit botërorë i kanë bërë thirrje Rusisë që ta lirojë Navalny, i cili u arrestua disa minuta pasi zbarkoi në Moskë pas pesë muajsh shërimi nga helmimi me agjent nervor në Gjermani. Sekretari i SHBA-ve, Mike Pompeo, tha se arrestimi i opozitarit është shqetësim i madh për demokracinë.

“Ne e marrim me shqetësim të madh ndalimin e opozitarit Navalny, sepse arrestimi i tij i fundit është një seri përpjekjesh për të heshtur Navalny dhe figura të tjera të opozitës dhe zërave të pavarur që janë kritikë ndaj autoriteteve ruse”, tha Pompeo. Jake Sullivan, këshilltari i presidentit të zgjedhur Joe Biden për sigurinë kombëtare tha se Navalny duhet të lirohet menjëherë: “Navalny duhet të lirohet menjëherë dhe autorët e sulmit të egër mbi jetën e tij duhet të mbajnë përgjegjësi. Sulmet e Kremlinit ndaj z.Navalny nuk janë vetëm një shkelje e të drejtave të njeriut, por një ofendim ndaj popullit rus që dëshiron të dëgjohet zëri i tyre”.

Josep Borrell, shefi i politikës së jashtme të BE-së, tha se “sutoritetet ruse duhet t’i respektojnë të drejtat e Alexei Navalny dhe ta lirojnë menjëherë. Politizimi i gjyqësorit është i papranueshëm”. – Ministria e Jashtme e Francës, po ashtu bëri të ditur se Franca po e përcjell me shumë shqetësimin ndalimin e Navalnyt. “Franca e sheh me shumë shqetësim arrestimin e z. Alexei Navalny në Rusi. Së bashku me partnerët evropianë, po ndjekim situatën e tij me vigjilencën më të madhe dhe bëjmë thirrje për lirimin e tij të menjëhershëm”.

Po ashtu edhe shtet skandinave vlerësuan se nëse nuk lirohet opozitari rus, duhet të konsiderohen seriozisht sanksionet ndaj Rusisë. Ministritë e Jashtme të Letonisë, Lituanisë, Estonisë: Bashkimi Evropian duhet të reagojë shpejt, nëse ai nuk lirohet, atëherë duhet të konsiderojë vendosjen e sanksioneve kundër Rusisë. Edhe organizata më e madhe për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, Amnesty International, ka qenë e ashpër me Putinin. “Navalny është privuar nga liria për aktivizmin e tij paqësor politik dhe ushtrimin e fjalës së lirë.

Amnesty International e konsideron atë një të burgosur të ndërgjegjes dhe kërkon lirimin e tij të menjëhershëm dhe të pakushtëzuar”. Alexei Navalny është nga të paktët opozitar rus që zëri i tij është shumë kritik ndaj presidentit kontrovers, Vladimir Putin. Navalny kishte qenë në Gjermani për shërim pasi ishte helmuar me agjend nervor të kohës së Bashkimit Sovjetik.