Mefail Bajqinovci

Vazhdon fushata kundër Bujar Osmanit, Bajqinovci: Bëri veprime tinëzare, të pakoordinuara me ne

Edhe deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci, ka vazhduar fushatën që nisi nga vetë Qeveria e Kosovës kundër kandidatit shqiptar për President të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmanit.

Bajqinovci e akuzon për “veprime tinëzare…të pakoordinuara me Qeverinë e Kosovës” duke ju referuar kohës sa kryesonte si ministër i jashtëm Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim (OSBE).

Postimi i plotë:

Dihet se në rajon ka patur dhe ka një lobim, kundër interesave të Kosovës. E dimë nga vjen dhe ku e ka origjinën. Por na vjen keq kur bëhen pjesë dhe politikanë shqiptarë, si ata të Ballkanit të Hapur.

Një nga ata është dhe Bujar Osmani, Ministri i jashtëm i Maqedonisë së Veriut, i cili ka shtyrë përpara kërkesa të dëmshme për Kosovën gjatë kryesimit të tij të OSBE-së gjatë vitit të kaluar. E ka dëshmuar edhe me veprimet e tij nëpër koluare diplomatike, të pakoordinuara me Qeverinë e Kosovës.

Veprimet e tij tinzare prapa krahëve të delegacionit të Kosovës në takimin e 18 marsit 2023 në Ohër të Maqedonisë së Veriut, me ose pa qëllim kanë minuar pozitat negociuese të Qeverisë së Kosovës në bisedimet për aneksin e zbatimit të marrëveshjes drejt normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

Vëllezërit tanë në Maqedoninë e Veriut në zgjedhjet presidenciale të 24 prillit duhet të zgjedhin midis Bujar Osmanit, ndërmjetës ndërkombëtar, dhe Dr Arben Taravarit, politikanit kombëtar të koalicionit shqiptar. Zgjidhja kurrë nuk ka qenë më e lehtë.

VIDEO BONUS: