seanca

Vazhdon edhe sot seanca gjyqësore ndaj Nasim Haradinaj

Nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Nasim Haradinaj, do të vazhdojë edhe sot seancën gjyqësore në Dhomat e Specializuara në Hagë.

Dje ai ka përfunduar seanca gjyqësore në Hagë ku për të dytën ditë me radhë ka dëshmuar. Dëshmia e Nasim Haradinajt, e filluar më 11 janar para Dhomave të Specializuara, do të vazhdojë edhe sot.

Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj u arrestuan më 25 shtator 2020 prej kur edhe po qëndrojnë në paraburgim në Hagë.

Rrjedhja e disa dokumenteve nga Specialja, të cilat nga një person ende i panjohur janë dërguar në zyrat e OVL-UÇK, dhe bërja publike e kësaj ngjarje nga krerët e organizatës, është arsyeja pse po gjykohen Gucati e Haradinaj.

Mbi ta rëndojnë akuzat për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, hakmarrje dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës.