Dhomat e Specializuara të Kosovës

Vazhdon dëshminë në sesion privat dëshmitari i 65-të i ZPS-së në rastin Thaçi dhe të tjerët

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë po vazhdon dëshminë dëshmitari i 65-të i Zyrës së Prokurorit të Specializuar i cili mbanë kodin W04710 në procesin gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Ky dëshmitar e filloi ditën e djeshme dëshminë e tij dhe sipas përmbledhjes së lexuar nga prokurorja Alexandra Insinga ai është i afërm i një viktime e cila është zhdukur dhe vrarë nga Drenoci, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Përpara se të vazhdohet me dëgjimin e dëshmisë së këtij dëshmitari, kryetari i trupit gjykues Charles Smith III tha se do të diskutojnë lidhur me një çështje fillimisht, por që seanca kaloi në sesion privat me arsyetimin e mbrojtjes së dëshmitarit dhe informacionit konfidencial.

Megjithatë, vlen të theksohet se është bërë modifikimi për pushimet në orarin e sotëm të seancës për sesionin e paradites ndërsa, orari i pasdites mbetet i pandryshuar.

“Seanca e parë do të zgjasë deri në orën 10:30, pasuar nga një pushim prej 15 minutash. Seanca e dytë do të vazhdojë deri në orën 12:00. Pushimi i drekës do të jetë prej orës 12:00 deri në ora 14:30, ndërsa seanca e fundit do të mbahet prej orës 14:30 deri në 16:30”, thuhet gjithashtu edhe në njoftimin e DhSK-së.

Kujtojmë që gjatë fundit të seancës së djeshme, kryegjykatësi Charles Smith III tha se ZPS-ja ka propozuar që dy dëshmitarë të tjerë të dëshmojnë përmes video-lidhjes për çka tha se vendimi do të merret me vonë. Ndryshe, palët mbrojtëse nuk e kundërshtuan këtë parashtrim të ZPS-së.

Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020. /BetimipërDrejtësi